Një grabitje me armë ka ndodhur në lagjen nr. 13 të Durrësit, ku një shtetas është kërcënuar dhe i janë marrë 150.000 lekë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa Policia ka vënë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas kallëzimit nga viktima, shtetasi A. I., forcat e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Seksioni i Hetimit të Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës kanë nisur veprimet hetimore dhe kanë identifikuar katër persona të dyshuar.
Në pranga ka rënë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim:
• R. I., 40 vjeç
• L. I., 20 vjeç
• E. M., 34 vjeç
Të tre banues në Durrës.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftim i i policisë
Durrës- Dyshohet se i morën një shumë parash një shtetasi, duke e kanosur me armë zjarri, identifikohen 4 shtetas. Vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 3 të tjerëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, menjëherë pas kallëzimit nga shtetasi A. I., se dje, në lagjen nr.13, Durrës, 3 shtetas i kishin marrë 150.000 lekë, duke e kanosur me armë zjarri, kanë kryer veprimet hetimore për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kap dhe u vu në pranga njëri nga autorët e dyshuar të rastit, shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës, dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerët, shtetasit R. I., 40 vjeç, L. I., 20 vjeç dhe E. M., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.