Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar mëngjesin e sotëm nga policia greke, e cila ka bastisur një banesë të përshtatur për kultivim dhe përpunim droge.
Sipas protothema.gr, autoritetet kanë shkatërruar një rrjet të mirëorganizuar të trafikimit të drogës. Banesa e sekuestruar ishte kthyer në një “shtëpi bari”, ndërsa rrjeti kishte krijuar një metodë të sofistikuar për nxjerrjen e kokainës nga lëkura që ndodhej në paletat e importuara nga jashtë.
Lënda narkotike trafikohej më pas brenda Greqisë, por edhe jashtë saj, në rrugë ndërkombëtare. Deri tani janë arrestuar gjashtë persona, përfshirë shtetas grekë dhe shqiptarë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal.