Prej më shumë se 10 orësh, landfilli i Elbasanit, në afërsi të inceneratorit, është përfshirë nga një zjarr masiv, ndërkohë që re të dendura tymi toksik vijojnë të mbulojnë zonën përreth dhe qytetin.
Sipas informacioneve, zjarri ka shpërthyer pasditen e djeshme rreth orës 17:10, dhe ende vijon të jetë aktiv në thellësinë e masës së mbetjeve, ku temperatura të larta dhe materialet shumë të djegshme e bëjnë ndërhyrjen jashtëzakonisht të vështirë.
Për përballimin e situatës, janë angazhuar 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë, jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga bashkitë Kamëz, Tiranë dhe Berat, në kuadër të një operacioni të koordinuar për emergjencat civile.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara, e ka cilësuar këtë si një nga ndërhyrjet më sfiduese:
“Zjarret në landfill janë ndër më të vështirat për t’u menaxhuar për shkak të përmasave të mbetjeve, lëndëve të djegshme dhe temperaturave të larta në brendësi. Është ende herët për të folur për shkaqet konkrete,” tha Cara.
Ai shtoi se në rastin e zjarrvënieve të qëllimshme duhet të ketë zbatim të ligjit dhe ndëshkim të autorëve, duke apeluar për kujdes dhe përgjegjësi në menaxhimin e mbetjeve.