Seanca gjyqësore për çështjen e njohur si “dosja Partizani” është shtyrë për në datën 21 korrik 2025, për shkak të mungesës së ish-kryeministrit Sali Berisha në sallën e gjyqit.
Prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi shtyrjen e seancës duke argumentuar se Berisha nuk është njoftuar zyrtarisht për zhvillimin e saj. Sipas tij, njoftimi i ishte dorëzuar dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, i cili kishte pranuar të njoftonte Berishën, por kishte deklaruar se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë siç duhet.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm të pandehurit Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Begeja. Ndërkohë, Fatmir Bektashi u përfaqësua nga avokati për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa Andia Pustina zgjodhi të përfaqësohet vetëm përmes mbrojtësit ligjor.
Shtyrja vjen në një moment kur pritet që Gjykata të hyjë në shqyrtim në themel të provave dhe akuzave që lidhen me shpërdorim detyre dhe përfitime të paligjshme, në lidhje me privatizimin e truallit të ish-Kompleksit Sportiv “Partizani” në Tiranë.