Policia e Tiranës ka goditur dy raste të mbajtjes së paligjshme të armëve të zjarrit, duke arrestuar dy persona dhe proceduar penalisht një tjetër, në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”.
Në një nga rastet, në rrugën “George W. Bush”, u arrestua 21-vjeçari P. K., i cili u kap në flagrancë me një pistoletë me municion, të cilën e mbante pa leje. Me të ndodhej edhe xhaxhai i tij, A. K., 46 vjeç, i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pengim të së vërtetës, pasi dha deklarata kontradiktore në lidhje me rastin.
Ndërkohë, në një tjetër rast, në rrugën “Dritan Hoxha”, u arrestua 30-vjeçari H. A., pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, iu gjet një armë zjarri dhe një shumë prej rreth 40 mijë eurosh. Edhe pse rezulton se kishte autorizim për mbajtjen e armës vetëm në banesë, ai nuk kishte asnjë dokument justifikues për origjinën e parave, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarive kriminale.
Policia njofton se hetimet për të dyja rastet janë në vijim, me fokus përcaktimin e burimit të pasurisë dhe lidhjet e mundshme me aktivitete të paligjshme. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak dhe shuma prej 40 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Kontrolle intensive për konstatimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojmë me armë zjarri.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontigjenti”. Gjatë 24 orëve të fundit, goditen 2 raste të mbajtjes së armës së zjarrit, në mënyrë të kundërligjshme.
Sekuestrohen 2 pistoleta, municion luftarak dhe rreth 40 000 euro të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale.
Për të dyja rastet, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë, 1.
Si rezultat i kontrolleve sistematike dhe atyre të mbështetura te informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, Komisariati i Policisë Nr. 5 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Gjurmimin e Aseteve Kriminale, goditën gjatë 24 orëve të fundit, 2 raste të mbajtjes në mënyrë të kundërligjshme, të armëve të zjarrit. Konkretisht, në kuadër të operacionit “Kontigjenti”:
-u arrestua shtetasi P. K., 21 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë xhaxhai i tij, shtetasi A. K., 46 vjeç. Gjatë kontrollit fizik, në rrugën “George W. Bush”, ku 2 shtetasit lëviznin së bashku, 21-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion, që e posedonte pa leje. Ndërkaq, 46-vjeçari ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke dhënë deklarata kontradiktore për rastin;
-u vu në pranga shtetasi H. A., 30 vjeç, sepse nga kontrolli në automjetin që drejtonte, në rrugën “Dritan Hoxha”, iu gjetën 1 pistoletë dhe rreth 40 000 euro. Ai ishte i pajisur me autorizim për mbajtjen e armës së zjarrit, vetëm në banesë, ndërsa për shumën e parave nuk kishte dokument justifikues. Vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e parave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.