Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka raportuar mbi ecurinë e hetimeve për procesin zgjedhor të 11 majit, duke konfirmuar kontrolle të shumta në banesa dhe zyra, si dhe sekuestrimin e provave me vlerë që do t’i shërbejnë thellimit të hetimeve.
“Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për kontrolle në ambiente dhe persona të ndryshëm. Janë sekuestruar dokumente dhe prova të rëndësishme”, deklaroi Dumani.
Megjithatë, kreu i SPAK nënvizoi se hetimet po përballen me vështirësi serioze, kryesisht për shkak të kallëzimeve të paplota që kanë ardhur nga partitë politike. Ai theksoi se mjaft prej materialeve të depozituara nuk kanë përmbajtur të dhëna konkrete apo prova të nevojshme për të nisur procedime të mirëfillta penale.
“Sfidat nuk janë të pakta. Kallëzimet e partive politike nuk kanë qenë të plota. Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe mbështetje më e madhe për denoncimet, sidomos përmes fushatave informuese dhe garantimit të mbrojtjes së dëshmitarëve”, shtoi Dumani.
Altin Dumani: Janë ushtruar disa kontrolle banese zyre personale. Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve të ndryshme dhe personave të ndryshëm, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishëm që do i shërbejnë procesit të hetimit.
Sfidat nuk janë të pakta, referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota.
Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe mbështetje më e madhe për denoncimit përmes fushatave informuese dhe garancive ligjore për mbrojtjen e dëshmitarit.