Panorama.al ka siguruar pamjet nga aksidenti i rëndë që ndodhi paraditen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku tre të mitur u përplasën nga një automjet teksa lëviznin me dy monopatina.
Në video dallohet qartë një prej monopatinave që ka përfunduar poshtë gomave të makinës, ndërsa tjetra ndodhet disa metra më tej, në mes të rrugës. Në vendngjarje shihen edhe shapkat e fëmijëve të shpërndara në asfalt, një pamje që dëshmon dhunën e përplasjes.
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:30 dhe tre të miturit u transportuan menjëherë në spitalin e Traumës. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa i treti, me iniciale J.N., është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. K., 41 vjeç, është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme ligjore. Policia ka nisur hetimet dhe një grup i posaçëm ndodhet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, duke ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve në rrugët urbane dhe për respektimin e rregullave të qarkullimit në zona të frekuentuara nga të miturit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 të mitur.
Si pasojë janë demtuar 3 të miturit, të cilët janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit.