Një aksident i rëndë është regjistruar paraditen e sotme në qendër të Tiranës, ku një automjet ka përplasur tre fëmijë që lëviznin me monopatina. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Sipas informacionit paraprak nga Policia e Tiranës, të miturit po lëviznin me dy monopatina në momentin kur u goditën nga një automjet i drejtuar nga shtetasi E. K., 41 vjeç. Për pasojë, fëmijët kanë pësuar dëmtime dhe janë transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprimet e mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 të mitur.
Si pasojë janë demtuar 3 të miturit, të cilët janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit.