Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi me lëndë plasëse që ndodhi në mbrëmjen e 24 qershorit në një servis motorësh në lagjen “Bashkimi” të qytetit të Vlorës.
Sipas informacioneve të fundit, kamerat e sigurisë së biznesit kanë kapur momentin kur një person i afrohet servisit, pak para shpërthimit. Pamjet janë sekuestruar nga policia dhe po analizohen për të mundësuar identifikimin e autorit.
Nga shpërthimi i ndodhur rreth orës 23:00 pati vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Pronari i servisit, shtetasi V. B., ka deklaruar për policinë se nuk ka konflikte me asnjë person, duke mohuar mundësinë e një sulmi për shkak të ndonjë hakmarrjeje apo përplasjeje të mëparshme.
Në kuadër të hetimeve, janë shoqëruar në polici pesë persona për verifikime, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 23:00, në lagjen ‘Bashkimi’, në dritaren e një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit V. B., ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit/ëve të dyshuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.