Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shtyu seancen e Ilir Metës per ne 26 qershor. Presidenti i PL-se kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se seanca u shty pasi ai kerkoi kohe per tu njohur me disa akte qe ka sjelle prokurori.
“U shty sepse unë kërkova të njihem me aktet që ka sjellë prokurori, me disa dëshmi. Prokurori ka kërkuar që ne po bëjmë verifikime sepse po verifikojmë pasurinë e ish vjehrrës apo ish bashkëshortes së Metës. Prokurori foli për të gjithë të tjerët, por nuk foli për korrupsionin”, tha avokati.
Po ashtu, avokati ka deklaruar se prokurori është tërhequr nga akuza për lobim të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
” U paraqitën 5 fashikuj, tre prej tyre ishin përkthime nga cështja e lobitmi në SHBA. Prokurori e pranoi në seancë se lobimi në SHBA ka rënë si vepër penale për zotin Meta, pasi nga emailit që kanë ardhur nga Departamenti i Drejtësisë vërtetohet se Meta nuk ka kryer pagesë 100 mijë euro sic është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro, që është ndërprerë më pas. U mbars malli dhe polli një mi. Sot prokurori ka kërkuar që akuza sa i përket lobimit në SHBA nuk qëndron më. Ky është një lajm shumë i mirë, sepse është një akuzë që ka ndërtuar korrupsionin ndaj zotit Meta”, tha Cakrani.
Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale, pasi sipas tyre SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.
Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.