Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare Ndue Cara, ish-kryetar i Bashkisë së Pukës dhe një nga figurat më të respektuara të këtij komuniteti. Ai u shua pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Ndryshe nga shumë të tjerë, Ndue Cara zgjodhi të qëndrojë në qytetin e tij edhe pas përfundimit të detyrës si kryebashkiak, duke i qëndruar pranë banorëve të Pukës. Ai ishte një nga të paktët drejtues vendorë që jo vetëm vijoi të jetonte në zonën që kishte drejtuar, por edhe të shërbente pa u ndalur.
Me profesion mjek, Cara nuk e ndërpreu kurrë shërbimin ndaj njerëzve. Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar disa institucione shëndetësore dhe, edhe pas daljes në pension, ka vazhduar të ofrojë ndihmë mjekësore për të gjithë ata që kishin nevojë.
Prej më shumë se dhjetë vitesh, kishte zgjedhur të shërbente në një nga zonat më të thella të Pukës, në Fierzë, ku jetonte në kushte të vështira, në një kontejner, vetëm për të qenë pranë banorëve që kishin më shumë nevojë për përkujdesje shëndetësore.
Ndue Cara do të kujtohet jo vetëm si një drejtues i përkushtuar, por mbi të gjitha si një mjek human dhe njeri me zemër të madhe, që deri në ditët e fundit të jetës mbeti besnik ndaj profesionit dhe shërbimit ndaj komunitetit.