Nën moton “Albania Future Now”, Shqipëria po prezantohet në datat 11- 14 qershor, në “VivaTech 2025”, konferenca më e madhe në Europë për teknologjitë e avancuara, bizneset inovatore dhe start up-et.
Me pjesëmarrjen e saj në “VivaTech 2025”, Shqipëria konfirmon angazhimin për të qenë pjesë aktive e hartës globale të inovacionit.
Ky është dhe misioni i fushatës “Innovation Noe”, i mbështetur nga EU4Innovation dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim promovimin, në tregun kombëtar e ndërkombëtar, të ekosistemit të inovacionit shqiptar.
“Mendoj që ne jemi në momentin më të mirë tonin sa i takon edhe motos tonë Albania Future Now, pra e ardhmja për Shqipërinë është sot dhe në fushën e inovacionit dhe teknologjisë që janë shumë të rëndësishëm si sektorë sa i takon ekonomisë digjitale, ne vijmë për të folur me një gjuhë të unifikuar dhe me një ofertë konkrete sa i takon parqeve Durana dhe TEDA”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja, i cili mori pjesë në “VivaTech 2025”.
Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit, po prezantohen katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.
Në “VivaTech 2025”, Shqipëria jo vetëm që po prezanton projektet më të rëndësishme kombëtare, por edhe po ndërton ura bashkëpunimi me aktorë ndërkombëtarë, start up-e dhe investitorë të mëdhenj.
E themeluar në vitin 2016 nga Publicis Groupe dhe Groupe Les Echos, VivaTech është kthyer në një pikë takimi të domosdoshme për liderët e së ardhmes.