Dy fëmijët që ranë në lumin Arachthos në Arta të mërkurën (11 Maj) kanë pësuar vdekje klinike.
Sipas mediave greke, prindërit e Spyrosit 14-vjeçar, i cili u hodh në lumë për të shpëtuar shokun e tij që po mbytej, dhe 12-vjeçarit kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre.
Në lumin ku ranë dy nxënësit, miqtë e tyre kanë lënë lule, ndërsa atje u gjet edhe emigranti shqiptar Levian Goga që u zhyt në ujë për t’i nxjerrë fëmijët, raporton Protothema.gr.
“Do t’ju kujtojmë përgjithmonë, ikët si heronj”, shkruhet në shënimin e lënë nga miqtë e dy të miturve në vendin e tragjedisë.
14-vjeçari dhe shoku i tij 12-vjeçar qëndruan nën ujë për 20 minuta, derisa emigranti shqiptari arriti që t’i nxjerrë nga uji.
Ndërsa u deshën edhe 30 minuta të tjera që të dërgoheshin në spitalin e Artës, ku mjekët zhvilluan “betejë” për t’i rikthyer në jetë.
Ata u transferuan më pas në spitalin e Rios ku u trajtuan në kujdesin intensiv në gjendje kritike. Përafërsisht dy ditë pasi ranë në lumë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmijët pësuan vdekje të trurit.
Fëmijët nuk i mbijetojnë dot lumit, prindërit dhurojnë organet: “Do t’ju kujtojmë si heronj”