Ka nisur në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. Përmes mbrojtjes së tij ligjore, Veliaj ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke ofruar një garanci pasurore, pa përcaktuar një shumë konkrete, duke ia lënë në dorë gjykatës vlerësimin.
Veliaj nuk është i pranishëm fizikisht në sallë, ndërsa përfaqësohet nga avokati Ermir Beta. Në seancë ndodhet edhe Elman Abule, një tjetër i hetuar në të njëjtën çështje, i cili është i shoqëruar nga avokatja Romina Zano.
Gjykata e Apelit po shqyrton kërkesën në prani të palëve dhe përfaqësuesve ligjorë, ndërsa pritet një vendim për fatin e mëtejshëm të Veliajt, i cili ndodhet në burgun e Durrësit që prej datës 10 shkurt. Ai po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash.
Seanca e sotme vjen pas ankimit të vendimit të datës 23 prill, kur gjyqtari i Shkallës së Parë, Erion Bani, vendosi të vijojë masën e arrestit, duke pranuar raportin periodik të SPAK mbi progresin e hetimeve. Vendimi u kundërshtua nga avokatët e Veliajt, të cilët këmbëngulin se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen në paraburgim.
Paralelisht me këtë proces, Veliaj ka dorëzuar edhe një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar masën e sigurisë, por ende nuk është përcaktuar data e shqyrtimit apo trupa gjykuese që do të merret me çështjen.
Mbrojtja kërkon që Veliaj të hetohet në gjendje të lirë, ose nën masa më të lehta si “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitjeje”. Nëse Apeli nuk ndryshon masën, ai do të qëndrojë në qeli deri në një vendim tjetër nga Gjykata e Lartë.