Pas vendimit për rinumërimin e votave në Tiranë, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur të nisë procesin e rinumërimit edhe për Qarkun e Fierit, i cili përfshin 587 qendra votimi.
Sipas vendimit të KAS, do të rinumërohen si votat për subjektet zgjedhore ashtu edhe votat preferenciale të kandidatëve në listat e hapura.
Vendimi nuk u mor me konsensus, por me shumicë votash, bazuar në kërkesën e dy anëtarëve të KAS me përkatësi demokratike, Elvis Çefa dhe Ledio Braho.
“KAS, pas konsultimeve, vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesat e Koalicionit PD-ASHM për hapjen e kutive të tre qendrave të votimit (3020, 3134 dhe 2903), si dhe kërkesën e Nismës ‘Shqipëria Bëhet’ për hapjen e të gjitha kutive në Qarkun Fier, duke i cilësuar si kërkesa të pambështetura në ligj dhe në prova,” deklaroi drejtuesi i mbledhjes.
Megjithatë, në mbështetje të pikës 3 të nenit 136 të Kodit Zgjedhor, dhe me propozimin e dy anëtarëve të KAS, u vendos që administrata zgjedhore të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të Qarkut Fier, si për subjektet zgjedhore ashtu edhe për kandidatët.
Procesi i rinumërimit pritet të zhvillohet në ditët në vijim, nën mbikëqyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor.