Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për dy autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, i cili u ekzekutua në dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë. Andrew Bode u dënua me 30 vite burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Albano Velo, u dënua me 25 vite burg.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Fadil Bodinaku”, pranë një lokali ku ndodhej viktima. Sipas hetimeve, në momentin që Papa është afruar në ambientet e jashtme të lokalit, ka reaguar ndaj autorëve duke përdorur mjete të rastësishme si një tavëll duhani. Në atë çast, një nga autorët e ka qëlluar me armë zjarri 9 herë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse u dërgua menjëherë në spital, 49-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Edmond Papa ishte një emër i njohur për autoritetet e huaja. Ai kishte precedentë penalë në Greqi për trafik droge dhe ishte i skeduar më parë në Britaninë e Madhe. Në Shqipëri ndodhej prej pak kohësh dhe në Tiranë kishte ardhur për të shoqëruar nënën e tij në disa vizita mjekësore.