Një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh është zbuluar nga Policia Doganore në Portin e Durrësit, e fshehur brenda një automjeti tip Land Rover, i cili kishte më shumë se dy vite e gjysmë që qëndronte i braktisur në një kontenier në sheshin doganor.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti kishte hyrë në territorin shqiptar më 20 dhjetor 2022, nëpërmjet pikës kufitare të Morinës, si pjesë e një tranziti doganor nga Kosova drejt Republikës Demokratike të Kongos. Megjithatë, dërguesi nuk ishte paraqitur asnjëherë për të përfunduar procedurat doganore, duke bërë që mjeti të qëndronte i mbyllur në port për më shumë se dy vjet.
Më datë 4 qershor 2025, autoritetet doganore vendosën hapjen dhe kontrollin e kontenierit, ku brenda Land Rover-it u zbuluan:
- 2 armë zjarri automatike,
- 1 armë zjarri pistoletë,
- 1,580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm,
- 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistoletë.
Armatimi ishte fshehur në një hapësirë të përshtatur në pjesën e brendshme të automjetit.
Menjëherë pas zbulimit, u shpall në kërkim një shtetas 24-vjeçar nga Kosova, me iniciale Y. I., i dyshuar si poseduesi i armëve dhe si i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të armëve dhe municioneve, me destinacion të dyshuar Republikën Demokratike të Kongos.
Policia bëri të ditur se armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe DVP Durrës, gjetën të fshehura në një automjet tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Shpallet në kërkim poseduesi i tyre dhe vijon puna për kapjen e tij
Automjeti Land Rover tranzit doganor nga Kosova për në Shqipëri me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos, i cili ka hyrë në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Morinë më datë 20.12.2022.
Kontenieri ku ndodhej automjeti, ishte i mbyllur në sheshin e kontenierëve në portin e Durrësit që prej dhjetorit të vitit 2022 pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore dhe më datë 04.06.2025, Autoriteti i Degës së Doganës Durrës vendosi kryerjen e procedurës së hapjes dhe kontrollit te këtij kontenieri.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjetin Land Rover shërbimet e Policisë konstatuan në brendësi të automjetit në një hapësirë të përshtatur 2 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe asaj Kufitare të Portit Durrës për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos.
Konkretisht u shpall në kërkim shtetasi kosovar Y. I, 24 vjeç dhe vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Armët e zjarrit do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për t’ju nënshtruar ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës po vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim dhe me autoritet kosovare për dokumentimin e plote ligjor të këtij rasti me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale .