Policia e Shtetit ka vijuar operacionin policor të koduar “Fake Star 5”, i fokusuar në goditjen e aktivitetit të kontrabandës dhe falsifikimit të veshjeve me marka të njohura.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar gjithsej 6 persona, përfshirë dy shtetas të shpallur më parë në kërkim. Në pranga është vënë edhe Linidon Haka, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për deputet, Luan Haka.
Gjithashtu, në pranga ndodhet shtetasi turk, Ozkan Sulun, 46 vjeç, i dyshuar si koordinatori i procesit të stampimit të logos false në veshjet e kontrabanduara.
Dita e djeshme shënoi arrestimin e Luan Hakas, Ali Bushatit, Xhuljo Lecajt dhe Arjan Hidës, të cilët janë pjesë e kësaj skeme kriminale.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.
Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.
Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.
I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.
Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.