Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast mashtrimi financiar përmes një call center-i të paligjshëm, në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Call”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin.
Si rezultat i hetimeve dhe ndërhyrjes së menjëhershme, u vunë në pranga dy shtetas, të cilët akuzohen për administrimin e një subjekti të paregjistruar, që funksiononte si call center me veprimtari mashtruese ndaj shtetasve të huaj.
Ambientet e përshtatura në mënyrë të paligjshme ndodheshin në zonën e Rrugës së Barrikadave, në Tiranë. Sipas Policisë, nga ky ambient kryheshin thirrje telefonike drejt qytetarëve të huaj, të cilët mashtroheshin për të investuar në bursa fiktive, duke u premtuar përfitime të mëdha financiare.
Qëllimi i kësaj skeme ishte përfitimi i paligjshëm i të ardhurave përmes mashtrimit dhe manipulimit të viktimave jashtë territorit të Shqipërisë.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Last call”.
Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për call center.
Vihen në pranga 2 shtetas të cilët administronin këtë ambient (call center), përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.
Sekuestrohen 5 laptopë dhe 2 aparate celularë, që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. V., 35 vjeç, dhe A. B., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur si call center. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe, përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.