Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan tha se gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë, raporton Anadolu.
Fidan në kuadër të vizitës së tij në Rusi, u takua me homologun e tij Sergej Lavrov në Moskë. Pas takimit të dy homologët mbajtën konferencë të përbashkët për media.
“Si Turqi dhe Rusi do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, tha Fidan lidhur me zhvillimet në Siri.
Duke folur për sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, Fidan tha: “Gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë. Përndryshe, është e pamundur të parandalohet kaosi që do të përfshijë edhe Izraelin”.
Kryediplomati rus Lavrov tha se me Turqinë kanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me Palestinën. “Ajo që po ndodh në Gaza dhe Bregun Perëndimor është e papranueshme”, u shpreh ai.
Lidhur me negociatat e paqes midis vendit të tij dhe Ukrainës, Lavrov tha se “Sërish mund t’u drejtohemi miqve tanë turq për raundin e dytë të negociatave me Ukrainën”.
Fidan në kuadër të vizitës së tij dyditore në Rusi, dje u prit edhe nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë.