Partia Demokratike – Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka ankimuar në KAS rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në dy qarqe, në Vlorë dhe Gjirokastër, duke kërkuar shpalljen e tyre të pavlefshme.
PD hedh akuza për manipulim të gjerë të procesit, duke e cilësuar atë si një “masakër zgjedhore”, dhe po ndjek rrugën institucionale për të kundërshtuar rezultatin në disa qarqe të vendit, ku deri më tani numri ka shkuar në pesë, por me siguri do të ketë edhe të tjera në ditët në vijim.
Sipas kërkesës ankimore të PD thuhet se Qarkun Vlorë dhe Gjirokastër është evidentuar përdorimi sistematik i administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të interesave zgjedhore të Partisë Socialiste.
“Nëpunës të administratës publike janë angazhuar në mënyrë të hapur në fushatën elektorale, duke shkelur parimin e neutralitetit politik dhe barazisë në garën zgjedhore”, thuhet në dokument.
Në dokumentin thuhet gjithashtu se kryetarët e bashkive dhe drejtues të tjerë të institucioneve lokale, që janë njëkohësisht figura të PS-së, kanë shfrytëzuar pushtetin për të ndikuar në procesin zgjedhor, përmes presioneve, avantazheve dhe përfshirjes direkte të administratës në mbështetje të kandidatëve të PS-së.