Gjatë homazheve për Artan Lamen, Artan Shkreli ndau një mesazh të ndjerë, duke e përshkruar të ndjerin jo vetëm si mik, por si vëlla. Ai kujtoi dekada të tëra bashkëpunimi dhe miqësie, të mbushura me punë, debate e ide të shumta.
“Bashkë kemi kaluar shumë dekada, në punë, në debat, në netë të gjata bisedash për Shqipërinë, për princ Vidin, Zogun, historinë… për çmenduritë, dashuritë tona të përbashkëta, pastaj për arkitekturën, kulturën, për qytetet,” tha Shkreli.
Ai shprehu dhimbjen për ndarjen e parakohshme të Lames nga jeta, duke theksuar se kishte ende shumë për të dhënë. “Ai kishte një zemër të madhe dhe të lodhur, që jepte më shumë sesa merrte,” shtoi Shkreli, duke lënë mesazh të fortë për humbjen e madhe që ka pësuar komuniteti i tij dhe vendi.
Mesazhi i Artan Shkrelit:
“Lame nuk ishte thjesht një mik i ngushtë, ai ishte vëllai im. Jo prej gjaku, por prej jete. Kemi kaluar bashkë shumë dekada në punë, në debat, në ide në netë të gjata bisedash për Shqipërinë, për princ Vidin, Zogun, historinë… për çmenduritë, dashuritë tona të përbashkëta, pastaj për arkitekturën, kulturën, për qytetet.
Artani ishte i jashtëzakonshëm, i paepur në pasionin e tij për trashëgiminë, i papërkulur përballë kompromiseve që nuk i duronte dot. Kishte lidhje intime me historinë, jo si studiues, por si njeri që e ndjeu t’i kthente çdo tulle të vjetër identitetin, çdo simboli të harruar respektin, çdo figure në nëpërkëmbur dinjitetin. Dhe nuk e bënte për lavdi apo për duartrokitje, e bënte sepse ishte kështu.
Kam punuar me të, kam debatuar me të, siç ndodh mes vëllezërve, por kurrë nuk kam dyshuar në qëllimin e tij, në thellësinë e mendimit, dhe dashurinë që kishte ndaj Shqipërisë.
E kishte zemrën e madhe dhe të lodhur. Një zemër që më shumë dha sesa mori. Prandaj kush ka qenë pranë tij, zotëron një pjesë të zemrës së tij. Ai e jepte pa kursim edhe kur ndihej i mënjanuar.
Nuk e meritoje të ikje kaq herët o vëllai im. Ka kaq shumë dhe kishte kaq shumë për të dhënë, por Zot ii kërkonte më shpejt njerëzit e mirë pranë vetes. Pse kështu? Kjo për ne do të mbetet mister, shpresoj ta zbuloj kur të takohemi përsëri një ditë vëlla. Do të mbaj mend gjithmonë siç ishe, me dosjet në dorë, gjithnjë me vrap, ku me shaka të quanim ‘lepuri i bardhë i Lizës’.
Do na mungosh tmerrësisht në tavolinën e punës, në mjediset e muzeut, në bisedat e mbrëmjes dhe në heshtjen që ndahet mes miqve të vërtet. Artan i dashur, u prehsh në paqe! Lamtumirë miku ynë, paç dritë, nuk do të harrojmë kurrë.