Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë pasur një bisedë telefonike.
Në një postim në rrjetin social X, Zelensky shkruan se e ka informuar Ramën për sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë.
Zelensky gjithashtu e ftoi Ramën të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, ku Shqipëria do të përfaqësohet.
Në fund, Zelensky falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe popullit të saj.
“Pata një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë.
E informova për sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë. Këto sulme tregojnë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.
Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin me partnerët europianë dhe unitetin tonë. E ftova Kryeministrin të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, dhe Shqipëria do të përfaqësohet.
Faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit tonë!”
Telefonata mes Ramës dhe Zelensky erdhi pasi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dënoi sulmet e fundit ruse në Ukrainë.
Ministria e Jashtme theksoi se kjo luftë është e pajustifikuar dhe shtoi se sulmet minojnë përpjekjet e fundit të bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një armëpushim në Ukrainë.
Në fund, Ministria e Jashtme bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe arritjen e paqes.