Sot në Gjykatën e Durrësit janë paraqitur për masën e sigurisë shtatë persona të arrestuar në kuadër të operacionit “Enigma”. Mes tyre janë Xhevdet Plaku, i njohur si “Akili”, Flobens Meçja, Voltan Xhani, Jugert Xhani, Oltion Hasani, Fatjon Qesja dhe Alfred Hasanaj.
Xhevdet Plaku, 45 vjeç, i njohur me nofkën “Akili”, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi u arratis nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti. Ai ishte dënuar në Itali për trafik droge. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një pistoletë me fishek gati për qitje.
Flobens Meçja, i njohur edhe si “Gega” apo “Drini”, 43 vjeç nga Shkodra, ishte në kërkim nga SPAK prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet për “Organizatë kriminale” dhe “Sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”. Policia i gjeti gjatë kontrollit dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe një pistoletë me fishek gati për qitje.
Voltan Xhani, 39 vjeç, banues në Holandë, dyshohet si organizatori kryesor i vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër në gusht 2024. Ai akuzohet për “Trafikim mjetesh motorike” dhe për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes”. Gjatë kontrollit iu sekuestrua një pistoletë me fishek në fole.
Vëllai i tij, Jugert Xhani, 35 vjeç, akuzohet për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”. Në posedim të tij u gjet një armë zjarri me municion.
Ndërsa Oltion Hasani, 38 vjeç nga Mamurrasi, Fatjon Qesja, 36 vjeç nga Tirana dhe Alfred Hasanaj, 45 vjeç nga Mamurrasi, dyshohen për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”.
Operacioni “Enigma” dhe arrestimet janë pjesë e hetimeve të zhvilluara nga policia dhe SPAK, për rrjetin kriminal që merrej me trafik droge, armëmbajtje të paligjshme dhe përfshirje në vrasje.