Ndarja nga jeta e regjisorit, Piro Malkani, hidhëroi sot botën e artit shqiptar. Piro Malkani u nda nga jeta këtë të shtunë në moshën 86-vjeçare.
Por çfarë ka thënë regjisori për filmin që ai dëshironte të realizonte me Dritëro Agollin.
Në një shkrim të realizuar nga gazeta Panorama në vitin 2020 Piro Malkani ka treguar se gjithnjë kishte dashur të bënte një film me Dritëro Agollin.
Por, me sa duket, Dritëro Agolli e kishte gjetur veten te Viktor Gjika dhe kjo dyshe mbeti e tillë, deri në shkërmoqjen e Kinostudios. Por Piro Milkanit i ra një fat, që Viktor Gjika nuk arriti ta kishte: të realizonte dokumentarët e jetës për dy shkrimtarët e mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, madje të fiksonte takimin e tyre të fundit.
Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, kineasti Piro Milkani tregon për vendin e Dritëroit në kinematografinë shqiptare, për adhurimin e tij deri në Kinën e largët dhe atë moment të artë, kur iu desh të realizonte filmin mbi jetën e shkrimtarit, apo për bisedat me të dhe Sadijen e dashur.
PIRO MILKANI
DRITËROI QË NA NDRIÇOI
Nuk më vjen në mendje se kur lexova për herë të parë poezinë e Dritëroit, por mund të them, se kur u ktheva nga studimet jashtë shtetit, ai kishte një emër të konsoliduar si poet e gazetar me një stil të veçantë në gazetarinë shqiptare. Ishin këto shkrime që tërhoqën vëmendjen e Endri Kekos për të bashkëpunuar me të në një numër të pafund filmash dokumentarë.
Mbi themelet e godinës së letërsisë shqiptare, hierarkia e vlerave ngriti tri shtylla mbajtëse dhe ata ishin: Dritëroi, Kadareja dhe Fatos Arapi. I bashkonte e veçanta në mënyrën e trajtimit të temave dhe në optikën personale të interpretimit të ngjarjeve. Pikërisht kjo larmi stilesh i bënte ata më të këndshëm. Hezitoj të flas më gjatë, sepse studiues arti të tjerë i kanë analizuar ata, por do të merrem me veprën e Dritëroit në fushën e filmit. U bëra “xheloz” me Viktor Gjikën, kur ma rrëmbeu Dritëroin dhe realizuan së bashku filmin e tyre të parë “Horizonte të hapura”.
Një kontratë e pashkruar i lidhi ata përjetësisht. As mund të të shkonte në mendje t’ia rrëmbeje Viktorit Dritëroin. Kështu, pas çdo romani të suksesshëm, do pasonte një film me firmën e Dritëroit dhe Viktorit. Mjafton të kujtosh filmat “I teti në bronz” apo “Njeriu me top” dhe i ke thënë të tëra. Kur meditoj për arritjet dhe vlerat e kinemasë shqiptare në shkrime, referate, në forume kineastësh apo leksione me studentë të Akademisë së Filmit Marubi i mëshoj fort përgjigjes së pyetjes, nëse kinemaja shqiptare ishte apo është një kinema provinciale apo vlerë kombëtare.
E në mbrojtje të së dytës, shtoj se nuk mund të jetë e pavlerë një industri kinematografike, ku ndërhynë penat e fuqishme të shkrimtarëve të shquar si: Dritëroi, Kadareja, Laço, Koreshi, Pulaha, Blushi e të tjerë. Dritëroi nuk ka fare nevojë për mbiemrin Agolli, ashtu si Kadaresë nuk i nevojitet emri. Të dy gjigantë të letrave shqipe. Kaluan vite të tëra dhe shpresa ime për një bashkëpunim me Dritëroin u shua. Por dora e Zotit më ndihmoi edhe mua.
Një ofertë e “Top Channel”-it në vitin 2009 më angazhoi për të realizuar një dokumentar të gjatë për Kadarenë. Punova në të ngadalë e ngadalë. Dhe erdhi një moment kur diçka nuk më shkonte. Ia thashë haptas Kadaresë: “Nuk më del filmi mirë, nëse në të nuk është edhe një takim me Dritëroin. U tha, u bë! Një mëngjes vjeshte të lagësht e të ftohtë i ngjita shkallët për në shtëpinë e Dritëroit.
Së bashku me Sadijen ishin bërë gati. Edhe pse e kishte rralluar shumë, atë mëngjes e kishte rrëkëllyer një gotë raki dhe më detyroi dhe mua ta pi një gotë. Në ato momente kujtova sesa njerëz, të njohur e të panjohur, kishin hyrë në atë shtëpi bujare. Ndërkohë, Eno Milkani (bashkëregjisori) dhe Erion Muharremi (kameramani) ndodheshin te “Juvenilja”, së bashku me Kadarenë dhe Bujar Hudhrin.
Porosinë e kishin marrë që në darkë: “Kur të vijë Dritëroi, të shtypet butoni i kamerës dhe të mos ndërpritet fare”. Dhe ashtu u bë. Po për dreq ndodhi ajo që nuk e prisja. Një zile bezdisëse telefoni. Shyqyr që nuk kisha në dorë kamerën. U largova që të mos ndërpritej xhirimi dhe fola me zë të ulët. Ishte Kel Joti, drejtor i “Top Channel”.
Pyeti se ku isha
– Të lutem mos e zgjat se po filmojmë Dritëroin me Kadarenë. E mbylli pa një pa dy. Po ndiqja bisedat e këndshme të dy ish-nxënësve të gjimnazit të Gjirokastrës. Dhe prapë ai dreq telefoni. Pikë e zezë!
Përsëri Keli: -Dëgjo këtu! E ke ekskluziv këtë xhirim, se mos është dikush tjetër?
– Jo, jo, vetëm ne jemi.
– Të lumtë. Po dëgjo këtu. Sa të mbarosh me Kadarenë, mendo për një dokumentar për Dritëroin.
E mbylla, e mbylla dhe më fal.
Më shkoi në mendje kënga “Dy gëzime në një ditë”. Falë kësaj bisede ndërroi dhe montimi i filmit të Kadaresë. I vumë vetëm pak fragmente këtij takimi të bukur dhe e ruajtëm pjesën më të madhe për filmin e ardhshëm.
Duke besuar në gënjeshtrën time të bardhë, Dritëroi dhe Sadija u përshëndetën me të, duke i uruar rrugë të mbarë. Pastaj Dritëroi më propozoi të hynim në ambientet e restorantit.
Ishte ditë e ftohtë, me shumë lagështi.
– Hajde ta rrëkëllejmë dhe nga një gotë tjetër, – më tha.
Disa tavolina më tej dalloj Mendu Thaçin, kryetarin e PDSH në Maqedoni. Pak çaste më vonë, ai ngrihet dhe e takon përzemërsisht Dritëroin dhe Sadijen.
– Po ky ç’pati?
– Pse? -e pyes unë.
– Po ky ka deklaruar botërisht se sa të jetë gjallë, nuk ka për t’i dhënë dorën asnjë komunisti. E ç’po na shohin sytë këto kohë..!, – tha me të qeshur Dritëroi.
Filmi detyrimisht bëri që të jem shpesh me Dritëroin e Sadijen. Pashë me vëmendje bibliotekën gjigante të shtëpisë ku nuk mungonin libra autorësh të rinj e pak të njohur, të cilëve Dritëroi u kishte dhënë kurajë apo u kishte recensionuar veprën. E në një ndër ato vizita më dhuroi librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Librin e njihja fare mirë, po këtë herë e kisha me dedikim nga vetë autori. Ndër të tjera, ai shkruan edhe këto fjalë: “Pirros, mikut tim kineast, ia dhuroj gjithë qejf se ky ‘qen bir qeni’ ka bërë filma shumë të mirë”. Falë këtij filmi, u njoha fizikisht edhe me Rexhep Qosen.
I kishte bluar në mendje ato që do të thoshte për Dritëroin, duke bërë vlerësimin maksimal për të, kur tha se Dritëroi mund të konsiderohet si i fundmi i rilindësve shqiptarë. Falë filmit që po xhiroja, shkova në Korçë të fiksoj ceremoninë e dhënies së titullit Doktor Honoris Causa nga Universiti Fan S. Noli.
Në bisedën e shpenguar, ashtu siç dinte ta bënte vetëm ai, tregonte se pas vdekjes ai do të kthehej përsëri në këtë botë si një flutur a zog.
Ashtu si Naimi, Dritëroi ishte një panteist i bindur. Për nga natyra, mendoj se ishim të dy njëlloj: “Optimistë patologjikë”.
Çdo sëmundje të papritur e kemi pritur me stoicizëm dhe me besim se do t’ia hedhim edhe këtë herë. Dhe vërtet, ai i bëri bisht disa herë vdekjes, falë edhe kujdesit të Sadijes. Përgjatë viteve 1964-1977, në vitet e “miqësisë” me Kinën e Maos, kinezët morën mbi 20 filma shqiptarë. Pasi i dublonin në kinezisht, ata shpërndaheshin në gjithë territoret e pafundme të vendit më të populluar në botë.
E ndër ta, tre filma kishin edhe firmën e Dritëroit. Ata ishin “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz” dhe “Njeriu me top”. Shqiptarët e shumtë që vizitonin Kinën, na tregonin se kinezët e kishin përzemër të imitonin plot humor batutat e famshme që lëshonin personazhet e Dritëroit. Ndaj, mendoj se edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, vepër e krahasueshme me “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut apo me Don Kishotin e Servantesit, për mesazhet universale që përcjell, do të pritet po aq mirë sa edhe filmat e tij.
Nuk më mbetet tjetër, veç të përsëris atë që thashë në ditën e përcjelljes së tij në banesën e fundit: “Sikur një ditë në kodrat e Tiranës të ngrihej një Panteon, Dritëroi do të zinte një vend ndër më kryesorët”.
Faleminderit Dritëro që na ndriçove edhe neve të tjerëve, që na dhe zemër e kurajë të shkruajmë më mirë e më bukur falë teje. Dritë pastë gjithmonë ai që të dha këtë emër plot dritë!