Policia shqiptare ka vënë në pranga një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Ankarasë për disa vepra të rënda penale.
Bëhet fjalë për Umit Oncu, 44 vjeç, i cili dyshohet se është kreu i një organizate kriminale në Turqi. Ai u arrestua në Tiranë me qëllim ekstradimi drejt vendit të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Izmirit ka lëshuar ndaj tij urdhër-arresti për tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim dokumentesh, si dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Karsiyakës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për akuzat e posedimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Aktualisht, autoritetet shqiptare po ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Turqi, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Multiple”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.
I akuzuar nga 2 autoritete në Turqi, për disa vepra të rënda penale, ndër to tentativë vrasjeje, kapet në Tiranë, kreu i një organizate kriminale.
Si rezultat i punës operacionale profesionale dhe të mirorganizuar të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe i bashkëpunimit të ngushtë me homologët turq, u finalizua operacioni policor i koduar “Multiple”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, U. O., 44 vjeç.
-Prokuroria e Izmirit i ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim të dokumenteve dhe heqje të paligjshme të lirisë.
-Gjykata e Lartë e Karsiyakës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Turqi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 44-vjeçarit.