Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin për Akil Nerjaku alias Genti Nderjaku dhe Ervis Detin, për të cilët Italia ka kërkuar ekstradimin në kuadër të operacionit “Ura” ku u godit një grup i fuqishëm kriminal i trafikut të drogës drejt shtetit fqinj, që kishte bazën në Durrës.
Togat e zeza kanë vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
“Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit për qëllime ekstradimi të shtetasve N. (alias E. N.), i biri i . dhe i ., lindur më .dhe E. D., i biri i B. dhe i N., lindur më . të kryer nga policia gjyqësore në bazë të “Procesverbal për arrestin ndërkombëtar 21.05.2025 ora 10:00”,”- thuhet në vendim.
Ndërkohë u shpall e moskompetenca tokësore të Gjykatës Tiranë dhe u mor vendimi për dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Durrësit.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, sot më datë 22.05.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, në praninë e palëve ndërgjyqëse, kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, për shtetasit: G. N. alias E. N. dhe E.D , kërkesën me objekt: “Për miratimin e arrestimit të përkohshëm për qëllime ekstradimi dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”.
Gjykata pasi administroi provat shkresore, shqyrtoi ato në tërësi, si dëgjoi konkluzionet përfundimtare
PËR KËTO ARSYE;
Gjykata duke u bazuar në nenet 493 e vijues të K.Pr.Penale
V E N D O S I:
- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit për qëllime ekstradimi të shtetasve N. (alias E. N.), i biri i . dhe i ., lindur më .dhe E. D., i biri i B. dhe i N., lindur më . të kryer nga policia gjyqësore në bazë të “Procesverbal për arrestin ndërkombëtar 21.05.2025 ora 10:00”.
- Caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale ndaj personave në kërkim N. (alias E. N.) dhe E. D.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
- Ky vendim t’i njoftohet menjëherë Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.
- Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundra këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
U shpall në Tiranë, sot më datë 22.05.2025.