VOLTIZA DURO/ Rreth 8 mijë familje shqiptare do të përfitojnë drejtpërdrejt nga një paketë mbështetjeje për energjinë e pastër dhe eficiencën në banesa, falë një programi të ri shumëvjeçar, që kap vlerën totale prej 79 milionë euro.
Programi, i cili do të zbatohet në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), parashikon financim përmes një marrëveshjeje që ka mbërritur për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë. Nga kjo shumë, 50 milionë euro janë fonde të Bashkimit Evropian, ndërsa 29 milionë euro janë bashkëfinancim i qeverisë shqiptare.
Sipas marrëveshjes, skemat e granteve do të ndihmojnë familjet për të investuar në masa që lidhen me energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike në banesat e tyre. Objektivi është të ulet konsumi i energjisë, të përmirësohen kushtet e jetesës dhe të reduktohen kostot mujore të energjisë elektrike për familjet përfituese.
FUSHAT E INVESTIMIT
Programi përfshin gjithsej tri fusha kryesore ndërhyrjeje. E para është mbështetja për energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë në ndërtesat publike dhe private. Në këtë kuadër, në katër bashki të përzgjedhura do të realizohen investime në ndërtesa publike si zyra, kopshte, biblioteka, qendra sociale e kulturore, me qëllim përmirësimin e performancës energjetike të tyre.
Fusha e dytë e financimit lidhet me zgjerimin e infrastrukturës për makinat elektrike në vend. Janë planifikuar të instalohen 130 stacione të reja karikimi me shpejtësi të lartë për automjete elektrike, së bashku me transformatorë të nevojshëm dhe një sistem të integruar teknologjik për menaxhimin e rrjetit të karikimit. Gjithashtu, do të ofrohet asistencë teknike dhe mbështetje për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Fusha e tretë ka në fokus eficiencën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit në sektorin e ujit.
Shtatë ndërmarrje ujësjellësish në vend do të përfitojnë nga investime për zëvendësimin e sistemeve të pompave me pajisje më efikase dhe me konsum më të ulët energjie. Po ashtu, do të instalohen sisteme të vogla të pavarura fotovoltaike, me një kapacitet të kombinuar deri në 15 megavat. Zbatimi i marrëveshjes financiare do të nisë menjëherë pas hyrjes së saj në fuqi dhe do të zgjasë për një periudhë 12- vjeçare. Programi synon ndikim konkret në komunitet përmes përmirësimeve praktike në banesa, shërbime publike dhe infrastrukturë, duke adresuar nevoja të drejtpërdrejta të qytetarëve për energji më të lirë, më të pastër dhe më të qëndrueshme.
/Gazeta Panorama