Kamerat e vendosura në uniformat e policisë amerikane shfaqin momentin kur pjesëtarët e policisë së Çikagos arrestuan një pasagjer të armatosur me një armë të mbushur në një aeroplan në aeroportin ndërkombëtar O’Hare – vetëm pak minuta para se të ngritej në ajër fluturakja, shkruan New York Post.
Besnik Ismajlaj, 53 vjeç, kaloi kontrollin e sigurisë me armën gjatë një ndërrimi turni në një pikë kontrolli sigurie të TSA muajin e kaluar, dhe hipi në fluturimin e tij me një pistoletë gjysmëautomatike Glock 9 mm në çantën.
Videoja e publikuar tregon Ismajlajn të ulur në klasin e parë kur autoritetet hipin dhe e shoqërojnë nga aeroplani, transmeton Telegrafi.
Kur policët e pyetën nëse e dinte pse ishin atje, ai u tha: “Po, është në çantën time”, sipas një raporti policor të marrë nga CBS News.
“E harrova”, i thotë ai një polici pasi zbret nga aeroplanit dhe i vihen prangat.
Ai duket i qetë dhe bashkëpunues ndërsa policët kontrollojnë çantën e tij dhe gjejnë pistoletën.
Ismajlaj nga St. Charles, Ill, e kaloi pistoletën përmes pikës së kontrollit të sigurisë 2 në Terminalin 1 të O’Hare gjatë një ndërrimi turni të TSA-së më 15 prill.
Një agjent i TSA-së pranoi se e pa armën në makinën me rreze X, por Ismajlaj futi dorën brenda, mori çantën e tij dhe u nis për në fluturimin e tij përpara se ata ta konfiskonin, thanë zyrtarët e TSA-së.
Një udhëtar tjetër që priste në radhën e sigurisë, u dha gjithashtu policëve një përshkrim se si dukej pasagjeri me armë.
Sapo u nxor nga aeroplani dhe u arrestua, videoja tregon policët duke e futur atë në pjesën e pasme të një furgoni policie në pistë dhe duke e çuar në një dhomë pritjeje, ku ia lexuan të drejtat e tij.
Ismajlaj u akuzua për një kundërvajtje për mbajtjen e një arme zjarri të fshehur në aeroport. Ai do të paraqitet në gjykatë më 9 qershor. /Telegrafi/