Teksa numërimi i votave në bashkinë Kamzë po shkon drejt përfundimit, ku janë numëruar deri më tani 131 nga 133 kuti votimi, Elisa Spiropali ka bërë një postim në Facebook, ku vë në dukje rritjen e PS-së në këtë bashki kundrejt PD-ASHM.
Elisa Spiropali shpreh falënderime për mbështetjen që qytetarët i dhanë Partisë Socialiste në këtë bashki, ndërsa thekson se vota e Kamzës ishte e qartë, e fortë dhe e pastër.
“ Askund më shumë se në Kamëz, kjo diferencë shigjetash elektorale nuk qëndron kaq kontrastuese, si dëshmi se vota është fryt i punës e i transformimeve të jashtëzakonshme, shërbimeve për qytetarët, projekteve dhe investimeve që e kanë ndryshuar rrënjësisht këtë vend që deri para pak vitesh konsiderohej moçal infrastrukturor e elektoral”, shkruan Spiropali në Facebook.
Kujtojmë se PD-ASHM ka siguruar në Kamzë 21,497 vota, ndërsa PS ka siguruar 20,236 vota.
Postimi i plotë
“Vota e Kamzës foli qartë, fort dhe pastër. Askund më shumë se në Kamëz, kjo diferencë shigjetash elektorale nuk qëndron kaq kontrastuese, si dëshmi se vota është fryt i punës e i transformimeve të jashtëzakonshme, shërbimeve për qytetarët, projekteve dhe investimeve që e kanë ndryshuar rrënjësisht këtë vend që deri para pak vitesh konsiderohej moçal infrastrukturor e elektoral.
Mirënjohje për punën e palodhur të strukturave të Partisë Socialiste, aktivistëve, simpatizantëve, qytetarëve që na kanë mbështetur pa dallim partiak, a dallim prejardhjeje. Votat e Kamzës janë vota zemre. E gjitha na frymëzon e na detyron për punë edhe më të mira për Kamzën! Faleminderit!”