Teksa procesi i votimit vijon në të gjithë vendin, në disa qendra votimi janë konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor, përfshirë edhe fotografimin e votës.
Gazetari i News 24, Fatmir Popja, raporton për një rast të tillë në një qendër votimi në Librazhd, ku një votues është kapur duke fotografuar votën e tij. Siç shihet edhe në videon e siguruar nga gazetari, në momentin që konstatohet shkelja, votuesi deklaron: “E fshiva, e fshiva foton nga telefoni”.
Lidhur me këtë çështje, më herët kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, paralajmëroi se fotografimi i votës do të marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia, duke theksuar se kjo vepër përbën shkelje penale që dënohet me minimumin 3 vjet burg.
“Fotografimi i votës do marrë përgjigje nga drejtësia. Minimumi tre vjet burgim për ata që fotografojnë votën. Jo vetëm politikanët por edhe votuesit duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi,” deklaroi Celibashi.