Policia ka arrestuar dy persona në Tiranë, Hasan Doka dhe Redion Lelo, pasi sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave të votimit ku ata kishin votuar, ata kishin fotografuar fletët e tyre të votimit.
Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
“Tiranë/Vihen në pranga 2 shtetas të tjerë, të cilët fotografuan fletët e tyre të votimit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, se shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4 kishin shoqëruar në ambientet e Policisë, 2 shtetas që sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave ku kishin votuar, kishin fotografuan fletët e tyre të votimit, informojmë se:
Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këto raste, është bërë arrestimi në flagrancë i këtyre 2 shtetasve, konkretisht H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme në lidhje me rastet.”, njofton Policia.