Një ngjarje tragjike është konfirmuar sot në zonën e Holtës, në Bashkinë e Gramshit, ku dy punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu gjatë punimeve në një kantier ndërtimi hidrocentrali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktimat janë identifikuar si Abas Basha, 22 vjeç dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç, të cilët ndodheshin në punë në momentin kur ndodhi fatkeqësia. Dyshohet se masivi i dheut ka rrëshkitur aksidentalisht, duke i zënë poshtë të dy punëtorët.
Ngjarja ka ndodhur pranë një kanali që furnizon me ujë hidrocentralin në ndërtim. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat policore dhe grupet mjekësore.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila vjen vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti fatal në Klos, ku një 29-vjeçar humbi jetën nga shembja e një masivi kromi.
Njoftimi i policisë:
Gramsh/Informacion paraprak
Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.