Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga partitë politike respektimin e plotë të heshtjes zgjedhore, duke ndaluar çdo formë fushate apo thirrjeje elektorale.
Përmes një postimi zyrtar, KQZ thekson se subjektet zgjedhore nuk duhet të adresojnë mesazhe politike apo elektorale gjatë kësaj periudhe, përfshirë edhe komunikimet në rrjetet sociale.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëron respektimin e plotë të heshtjes zgjedhore, e cila ndalon çdo lloj fushate apo thirrjeje elektorale, përfshirë edhe atë në rrjetet sociale. Subjektet zgjedhore nuk duhet të adresojnë mesazhe politike apo elektorale gjatë heshtjes zgjedhore, në asnjë formë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, KQZ ka vendosur ndalimin e publikimit apo transmetimit të spoteve, reklamave dhe mesazheve elektorale në të gjitha mediat, përfshirë rrjetet sociale dhe mediat online, gjatë gjithë periudhës së heshtjes zgjedhore.
VENDIMI
NDALIMIN E PUBLIKIMIT/TRANSMETIMIT TË SPOTEVE/REKLAMAVE DHE MESAZHEVE ELEKTORALE NË PERIUDHËN E HESHTJES ZGJEDHORE
Në mbështetje të nenit 19, pikat 1, shkronja “n”, dhe 2, nenit 77 dhe neni 174, pika 1 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
VENDOS:
- Ndalimin e publikimit/transmetimit të spoteve/reklamave dhe mesazheve elektorale në të gjitha organet e medias përfshirë rrjetet sociale dhe mediat online në periudhën e heshtjes zgjedhore.
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.