Ditën e djeshme (7 maj), në qytetin e Elbasanit është regjistruar një incident gjatë zhvillimit të takimit përmbyllës të Partisë Demokratike në këtë qark, ku ishte i pranishëm edhe lideri Sali Berisha. Gjatë këtij aktiviteti, ka ndodhur një përplasje pmes simpatizantëve të PD-së, nga e cila ka mbetur i plagosur në kokë Parid Boçi, djali i ish-drejtuesit politik të PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi.
Parid Boçi pësoi një çarje në kokë gjatë konfliktit dhe ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Partia Demokratike ka reaguar për ngjarjen përmes një deklarate zyrtare për mediat, ku e cilëson incidentin si një konflikt banal mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo organizimin e partisë.
“Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor, ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike”, thuhet në reagimin e PD-së.
Megjithatë, një qëndrim të ndryshëm ka mbajtur bashkëshortja e Luçiano Boçit, Blerina Boçi, e cila në një postim në Facebook e ka cilësuar ngjarjen si një “skemë banditeske në veprim të plotë”.
Ajo ka paralajmëruar se kjo ngjarje do të zbardhet deri në fund, duke shtuar: “Zoti thotë ‘Beteja është e imja’”.