Universiteti “Luarasi” organizon konferencën e dytë ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve, pedagogë, trup diplomatik, prokurorë dhe gjykatës nga strukturat e posaçme dhe përfaqësues të parlamentit.
Në fjalën e tij, rektori i Universitetit “Luarasi” Prof. Dr. Ethem Ruka në fjalën e tij përshëndetëse tha se fokusi i kësaj konferencës është drejtësia, siguria dhe të drejtat e njeriut.
Pa drejtësi – tha profesor Ruka- nuk ka shtet, nuk mund të ndërtohet një shtet me standarde pa një drejtësi të pavarur.
Sipas tij drejtësia e re është një arritje e jashtëzakonshme, pavarësisht mangësive që mund të ketë.
Profesor Ruka u shpreh se drejtësia është një sfidë e Shqipërisë dhe e vendit për të shkuar drejt familjes Evropian.
“Parlamenti është ai që i jep atë vulën e fundit ligjit dhe e di sa e vështirë është të bësh një ligj, sa e vështirë është të bësh një ligj, e di sa e vështirë është që ta zbatosh atë, i di vështirësitë e sistemit gjyqësor, i dimë ngarkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që për mendimin tim janë heronj”, tha rektori i Universitetit “Luarasi”.
I ndalur tek Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin Luarasi, Profesor Ruka deklaroi se ky është një nga Fakultetet më të mira dhe këtë fakt e tregon numri i studentëve apo edhe produkti që del, ku shumica gjejnë vend në sistemin gjyqësor.
“Na takon t’i bëjmë bashkë të gjitha Fakultetet e Drejtësisë, të rrisim bashkëpunimin ndëruniversitar që është shumë i rëndësishëm dhe që fusha e drejtësisë është një fushë ku juristët dhe studiuesit mund të kontribuojnë në mënyra të ndryshme”, u shpreh Ruka.
Fjala e profesor Ethem Rukës
Sic e dini universitetet kanë për obligim të organizojnë nga një konferencë vjetore ndërkombëtare. Në fakt kjo është konferenca e dytë ndërkombëtare e organizuar nga Universiteti “Luarasi”, e para kishte në fokus problemet e ekonomisë, e dyta në fushën e drejtësisë. Ne jemi krenarë, sepse kemi bërë bashkë 130 kumtues, disa janë bashkautorë, disa janë lektorë të vetëm, janë 17 universitete, 7-8 janë lokale, pjesa tjetër janë përtej kufijve tona, nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Italia, Franca, Anglia dhe ndonjë vend tjetër. Ne kemi nevojë për këtë lloj bashkëpunimi. Kur bëhemi bashkë fuqia jonë, shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave mund të nxjerrë një produkt më të mirë. Fokusi i kësaj konferencës është drejtësia, është siguria, janë të drejtat e njeriut. Tre çështje madhore. Nuk besoj se ka një fjalë që është artikuluar këto tre vite sesa fjala drejtësi. përpjekje, diskutime, debate, kënaqësi, pakënaqësi, por në fund kemi një produkt që të gjithë e mbështesim. Edhe pse mund të ketë ndonjë mangësi e rëndësishme është që është një arritje e jashtëzakonshme. Pa drejtësi nuk ka shtet, nuk mund të ndërtohet një shtet me standarde pa një drejtësi të pavarur, të drejtë që i konsiderojnë qytetarët të barabartë para togave të zeza. Unë nuk jam jurist, por duke patur fatin te kem kaluar vite në Parlament diçka kam marrë vesh nga drejtësia. Për gati 20 vite edhe në duart e mia ka kaluar i gjithë legjislacioni shqiptar. Parlamenti është ai që i jep atë vulën e fundit ligjit dhe e di sa e vështirë është të bësh një ligj, sa e vështirë është të bësh një ligj, e di sa e vështirë është që ta zbatosh atë, i di vështirësitë e sistemit gjyqësor, i dimë ngarkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që për mendimin tim janë heronj. Probleme ka shumë, kjo është një sfidë e Shqipërisë dhe e vendit për të shkuar drejt familjes Evropian.
“Luarasi” që është tavolina që ju ka mbledhur të gjithëve, është një Universiteti serioz, i besueshëm që është rritur ndër vite dhe që ka një Fakultet Drejtësie të shkëlqyer. Një ndër fakultetet më të mirë në Shqipëri. Këtë e kam bindje të thellë për përkushtimin që kanë treguar trupat akademike që nga viti 2003 deri më sot. Produktet e këtij fakulteti janë të matshme, jo vetëm në rritjen e numrit të studentëve, nga produkti që nxjerrim, nga ata që arrijnë të bëjnë shkollën e Magjistraturës, nga ata që futen në sistemin gjyqësor, nga tregues të tjerë sic janë konkurse kombëtare dhe rajonale, ku “Luarasi” ka qenë fituesi i të gjitha këtyre Olimpiadave. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Na takon t’i bëjmë bashkë të gjitha Fakultetet e Drejtësisë, të rrisim bashkëpunimin ndëruniversitar që është shumë i rëndësishëm dhe që fusha e drejtësisë është një fushë ku juristët dhe studiuesit mund të kontribuojnë në mënyra të ndryshme. Ata që janë mësimdhënës, pedagogë nuk janë vetëm njerëz që mbajnë leksione në auditorë, por duhet të jenë aktiv për tu lidhur me pjesën tjetër të drejtësisë, me atë që mban balancën, me atë që ushtron drejtësinë, me ata që japin vendimet, me sugjerime për pr.ligje të veçanta, apo edhe për të propozuar korrigjime të mundshme të ligjeve ekzistuese. Nëse nuk i fusim universitetet tona në këtë ulli, universitetet tona kthehen në disa institucione ku bëhet vetëm liturgji, por nuk dëgjohet asgjë përtej mureve të institucionit. Ne përpiqemi që këtë dimension t’ia japim “Luarasit” dhe organizimi i kësaj konferencë është tregues i asaj çka thashë më parë.
Ne kemi problemet tona në edukim. Kur unë mora përgjegjësinë për të drejtuar arsimin në Shqipëri kam gjetur një gjendje katastrofike në sistemin e drejtësisë. E them këtë me bindje të thellë. Imagjinoni një fakultet Drejtësie në Tiranë ku kishte 7 mijë vetë me korrespondencë. Imagjinoni Fakultetet e Drejtësisë në rrethe ku nuk kishte profesorë dhe provimet bëheshin nëpër lokale. Kjo ishte katastrofë. A i duhen vendit tonë kaq shumë juristë apo nuk i duhen? Unë e di që kemi një mbiprodhim juristësh, por kjo ekonomi tregu është, ai që është i mirë do përfundojë atje ku duhet. Kjo edhe shofer taksie që thonë kam mbaruar drejtësinë. Ekonomia e tregu i seleksionon. Unë mbyll me iniciative personale disa fakultete drejtësie ku nuk bëhej mësim, e mbyllëm mësimin me korrespondencë dhe lamë që Shqipëria të zgjidhte vetëm 300 juristë. Patëm mbështetjen e BB dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare. Unë sot nuk bëj thirrje që të mbyllim universitetet, por bëj thirrje që Universitetet tona të nxjerrin profesionistë të zotë. Ne duhet të përgatisim njerëz që duan të bëjnë drejtësi me pasion dhe jo ta shohin drejtësinë si mjet pasurimi. Kjo është e pa tolerueshme.