Türkiye dënoi të mërkurën sulmet me raketa të Indisë kundër Pakistanit gjatë mbrëmjes së kaluar, transmeton Anadolu.
“Sulmi nga India krijoi rrezikun e një lufte të përgjithshme”, tha Ministria turke e Punëve të Jashtme, duke dënuar hapat “provokuese” dhe sulmet që shënjestrojnë civilët.
Duke theksuar se Ankaraja po ndjek zhvillimet midis Pakistanit dhe Indisë “me shqetësim”, ministria u bëri thirrje palëve të veprojnë me “logjikë të shëndoshë” dhe të shmangin “veprimet e njëanshme”.
Deklarata shprehu pritjet e Ankarasë për ndërmarrjen e hapave për të ulur tensionet në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të krijuar mekanizmat e nevojshëm, përfshirë luftën kundër terrorizmit, për të parandaluar që incidente të ngjashme të ndodhin përsëri.
“Ne gjithashtu mbështesim thirrjen e Pakistanit për një hetim mbi sulmin terrorist të 22 prillit”, shtoi ministria, duke iu referuar një sulmi në Kashmirin e administruar nga India.
Më parë, India tha se kishte nisur sulme natën vonë në qytete në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani, duke synuar “nëntë lokacione terroriste”.
Rreth 31 persona, përfshirë pesë në Kashmirin e administruar nga Pakistani, u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën në sulme, tha ushtria pakistaneze. Ajo shtoi se gjashtë vende u goditën nga raketat indiane.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam të Kashmirit të administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India akuzoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet.