Personi në foto është 24-vjeçari Gerald Bitri, i riu që humbi jetën tragjikisht pasi mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë sherrit mes të rinjve një ditë më parë në Laç.
24-vjeçari ndërroi jetë ditën e sotme, 4 maj, në Spitalin e Traumës, pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Të plagosur gjatë sherrit me armë mbetën edhe katër persona të tjerë, konkretisht Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe shitësja ambulante Angjelina Gjezaj.
Dinamika e ngjarjes
Nga burime policore, mësohet se pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë dhe marrjes në pyetje të personave të përfshirë në konflikt dhe dëshmive të okularëve, është zbardhur dinamika e ngjarjes.
I arrestuari Klevis Ndreca, 28 vjeç, ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, 26 vjeç, ndërsa Daniel Gjeloshi, 26 vjeç, ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj, 26 vjeç, dhe Gerald Bitrin, 24 vjeç.
Të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Konflikti verbal, pesë minuta më vonë, ka agravuar në përdorimin e pistoletave.
Ata janë takuar më tutje në rrugën ku ndodhi ngjarja për t’u “sqaruar”. Sapo kanë ndaluar dhe zbritur nga makinat, janë afruar në këmbë. Ndreca ka nisur të qëllojë me armë, duke plagosur tre të rinjtë përballë, mes tyre edhe Gerald Bitrin, i cili ndërroi jetë sot në spital. Nga të shtënat mbetën të plagosur aksidentalisht edhe shoku i tij Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante.
Daniel Gjeloshi është kundërpërgjigjur me armë zjarri, por pa plagosur askënd. Arma e tij u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes.
Klevis Ndreca u largua në këmbë nga vendi i krimit, por më pas u vetëdorëzua në polici, duke dorëzuar edhe armën e krimit. Ai u lokalizua nga policia me ndihmën e kontrolleve në terren dhe dronëve.
Në dëshminë e tij paraprake, Ndreca ka deklaruar se ka qëlluar sepse është trembur, pasi sipas tij, i ka parë të rinjtë me armë dhe ka menduar se do ta godisnin.
4o