Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja tragjike që ndodhi një ditë më parë në Laç, ku pesë persona u plagosën dhe njëri prej tyre, Gerald Bitri, 24 vjeç, ndërroi jetë ditën e sotme në spitalin e Traumës.
Sipas informacionit të siguruar, i arrestuari Klevis Ndreca, 28 vjeç, ka qenë i pari që ka nisur të qëllojë me armë. Në dëshminë e tij paraprake, ai ka pohuar se ka qëlluar pasi është trembur, pasi ka menduar se të rinjtë që ndodheshin aty kishin armë dhe mund ta godisnin.
Si qëndron ngjarja?
Konflikti ka nisur pasi dy grupe të rinjsh janë përplasur verbalisht për shkak të një aksidenti të vogël me pasqyrat e makinave. Pas disa minutash tension, ata kanë vendosur të ndalojnë dhe të sqarohen në një vend tjetër. Pasi janë afruar në këmbë, Klevis Ndreca ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. Ai dhe Daniel Gjeloshi, 26 vjeç, kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit, duke lënë të plagosur tre persona.
Gerald Bitri, 24 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa Amarildo Ndoj dhe një shitëse ambulante janë plagosur aksidentalisht. Gjeloshi gjithashtu është kundërpërgjigjur me armë, por pa pasur asnjë të plagosur.
Pas ngjarjes, Klevis Ndreca është larguar në këmbë, por është vetëdorëzuar në polici pas një ndjekjeje nga autoritetet, duke dorëzuar edhe armën e krimit. Ai ka pohuar se ka vepruar në vetëmbrojtje pasi ka menduar se të rinjtë kishin armë dhe kishin ndërmend ta godisnin.
Policia ka vazhduar hetimet dhe ka zbuluar se arma që u përdor nga Daniel Gjeloshi është gjetur disa metra larg vendit të ngjarjes. Ndreca është arrestuar dhe po përballet me akuza të rënda.