Policia dhe prokuroria e Vlorës pretendojnë se kanë rënë në gjurmët e atentatorit të 58-vjeçarit vlonjat, që iu mor jeta në afërsi të banesës së tij.
Sipas të dhënave hetimore është mësuar se ai është i shpallur në kërkim dhe që ka dyshime që ka ikur në drejtim të Greqisë, teksa policia ka rënë në gjurmët e një të riu, që dyshohet që i ka dhënë makinën në përdorim.
Policia dhe grupi hetimor saktësojnë se personi që është në kërkim është pikërisht personi që rezulton të ketë marrë makinën e të arrestuarit të djeshëm në Tiranë, por ende nuk dihet nëse është ai vrasësi apo jo.
Referuar të dhënave të para, u saktësua se personi i vënë në pranga është Eris Mehmetaj një person jo pak i njohur, në fakt, por që grupi hetimor ndaj tij ka ngritur akuzën e përkrahjes së autorit të krimit. I arrestuari ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë lidhje me ngjarjen, ndërkohë që në dëshminë e tij, dhënë në polici ka pranuar që makina e tij është lënë në përdorim të një mikut të tij.
Policia pretendon se e njëjta makinë është parë në afërsi të vendit të ngjarjes, ndonëse mjeti nuk ka pasur targat konkrete, të cilat mbart makina e 31- vjeçarit. Sipas të arrestuarit, personi që i ka marrë makinën është nisur për një vizitë në Greqi dhe për këtë shkak, policia pretendon se është pikërisht ai autori i vrasjes së Renato Hoxhajt, edhe pse askush nuk di të thotë se cili ka qenë motivi i ekzekutimit të një qytetari të papërfshirë në asnjë aferë kriminale në vendin tonë.
HETIMET DHE IDENTIKITI I VRASËSIT
Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se është identifikuar makina me të cilën ka lëvizur vrasësi pas krimit ndërsa nga hetimet rezulton se këtë makinë ia kishte dorëzuar Eris Mehmetaj, autorit para vrasjes. Mirëpo targat e makinës nuk janë të njëjta dhe i arrestuari mohon të ketë dijeni për gjithçka që e akuzon policia dhe prokuroria e Vlorës. Mësohet se në cilësinë e provës materiale, të arrestuarit i është sekuestruar një celular, brenda të cilit janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin.
Megjithatë Eris Mehmetaj do të mbahet në pranga deri ditën e sotme kur do të dalë për t’u njohur me masën e sigurisë. Në lidhje me atentatin e kryer ndaj Renato Hoxhajt, saktësohet se atentatori ka qenë tërësisht i maskuar.
Në pamjet filmike nga ku është nxjerrë edhe fotoja e tij, shihet një njeri shumë i shëndoshë, por që për grupin hetimor është maskim silikoni në trup dhe fytyrë. Po ashtu ai ka përdorur sipër maskës së salikonit një maskë kovidi dhe kapele çka ka zënë thuajse përqindjen më të madhe të pamjes vizive, ndonëse ka qenë me maskim të plotë.
Grupi hetimor shpreson në arrestimin e personit që ka në përdorim makinën e Mehmetajt për të shkuar drejt krahasimit të një sërë elementësh që shquhen në foton e nxjerrë nga kamerat e sigurisë në lagjen “Hajro Cakërri”. Blutë dyshojnë që vrasja të ketë ndodhur për shkak të pronës së viktimës, ndërkohë që porosia lidhet me një element të njohur që gjendet në Dubai aktualisht.
Dyshohet se policinë në këtë vend e ka çuar pikërisht i arrestuari, i cili është konstatuar shpesh si vizitor i atij vendi. Hetimet vazhdojnë ndërkohë që policia kërkon të tjera fakte dhe prova kryesisht në vendin e ngjarjes dhe në të shkuarën e viktimës, për të mësuar se cili ka qenë motivi i vërtetë i vrasjes.
/Gazeta Panorama