Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka folur për mediat pas shtyrjes së seancës paraprake për dosjen “Partizani” në GJKKO, duke theksuar se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi.
Gjokutaj ka theksuar se, nëse kërkesa e tyre për përjashtim nuk pranohet, ata do të shqyrtojnë mundësinë e apelimit, duke paralajmëruar një “biçim” ankimi.
Për sa i përket kërkesës së kolegut të tij, Sokol Hazizaj, për veçimin e çështjes, Gjokutaj tha se gjyqtarja kishte deklaruar se do të japë përgjigje në lidhje me këtë kërkesë në vendimin përfundimtar të çështjes.
“Sipas procedurës kjo do të animohet bashkë me vendimin përfundimtar. Ka një ngërç aty sepse thotë se ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak nuk bëhet ankim, por do bëhet një biçim ankimi, sic u bë nga prokurori me rastin e caktimit të detyrimit për paraqitje ku mori atributet e gjyqtarit paraprak në apel zoti Engert Pëllumbi”, tha avokati.