Një 19-vjeçar shqiptar është ekzekutuar mbrëmjen e së dielës, më 20 prill, në Avenue Charras, në qytetin Clermont-Ferrand të Francës. Sipas mediave franceze, i riu është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej në trotuar, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi me makinë dhe aktualisht janë ende të paidentifikuar.
Ekipet mjekësore mbërritën në vendngjarje menjëherë, por pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, 19-vjeçari u shpall i vdekur pas dy orësh.
Burime nga Prokuroria franceze kanë bërë të ditur se viktima nuk kishte precedentë penalë, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse kishte ndonjë përfshirje në veprimtari kriminale, përfshirë trafikun e drogës, një pistë e zakonshme në hetime të tilla.
Sipas raportimeve paraprake, autorët kanë qëlluar nga brenda një automjeti në lëvizje, përpara se të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Hetimet janë në vijim për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.