Kulla Eiffel do të qëndrojë e fikur mbrëmjen e sotme në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, lajm i konfirmuar më herët gjatë ditës nga Selia e Shenjtë në Vatikan.
Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, njoftoi se do të propozojë që një vend në kryeqytetin francez të mbajë emrin e Atit të Shenjtë, si homazh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Në deklaratën e saj, Hidalgo theksoi përkushtimin e Papa Françeskut për një kishë që i shtrin dorën më të pambrojturve, si dhe rolin e tij në vendosjen e çështjeve mjedisore në qendër të debatit shpirtëror dhe shoqëror.
Kryebashkiakja e Parisit nderoi gjithashtu mesazhet e vazhdueshme të Papës për pranimin dhe mikpritjen e refugjatëve në një botë gjithnjë e më të trazuar.
Ndërkohë, në Paris dhe shumë qytete të tjera europiane pritet që gjatë ditëve në vijim të zhvillohen homazhe dhe ceremoni në kujtim të Papa Françeskut, i cili u shua në moshën 88-vjeçare.