Papa Françesku është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, më 21 prill, në moshën 88-vjeçare. Ndërsa Selia e Shenjtë ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht shkakun e vdekjes, mediat italiane, përfshirë “Corriere della Sera”, raportojnë se Ati i Shenjtë ka ndërruar jetë si pasojë e një goditjeje në tru.
Zërat jozyrtarë që qarkullojnë në ambientet e Vatikanit kanë ngritur pikëpyetje mbi përkeqësimin e papritur të gjendjes shëndetësore të Papës, vetëm pak javë pasi ishte shtruar në spital për shkak të problemeve me mushkëritë.
Ndërkohë, në Sheshin e Shën Pjetrit janë rënë këmbanat e vdekjes për njoftimin e humbjes së kreut të Selisë së Shenjtë, ku qindra qytetarë dhe turistë të pranishëm janë bashkuar në heshtje dhe lutje.
Sipas protokollit të Kishës Katolike, i njohur si Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, trupi i Papa Françeskut do të vendoset në kapelën e rezidencës Santa Marta gjatë orëve të mbrëmjes. Mediat italiane bëjnë me dije se arkivolizimi i tij do të ndodhë rreth orës 20:00.