Policia ka arritur të ndalojë dy shtetas të lidhur me një sasi të trafikuar droge. 23-vjeçari me iniciale G. P., banues në Tiranë, është arrestuar nën akuzën e porositjes së një sasie prej 1.07 kilogramë Cannabis, e cila ishte transportuar nga SHBA-ja.
Pakoja e drogës ishte marrë nga 19-vjeçari M. H., i cili u arrestua tre ditë më parë në Shkodër, kur shkoi për ta marrë drogën në postë.
Policia ka njoftuar se ky aksion është pjesë e një operacioni në vazhdim.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Pako 2”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga porositësi i pakos me rreth 1.07 kilogramë Cannabis.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, në vijim të operacionit policor”Pako 2” , si rezultat i kontrolleve të mbështetura te inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin G. P., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se ka porositur një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, të trafikuar nga ShBA. Pakoja u mor nga 19-vjeçari M. H, i arrestuar 3 ditë më parë, po në kuadër të këtij operacionit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.