Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me njoftim pas arrestimit të tre zyrtarëve të policisë rrugore në Tiranë, përfshirë shefin e qarkullimit, Roven Zeka, shefin e sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku, dhe Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku. Ata dyshohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, arrestimet janë bërë pasi këta zyrtarë i kanë marrë ryshfet 2 mijë euro një shoferje që u përfshi në një aksident rrugor më 16 prill në Tiranë. Nga përplasja e dy automjeteve, 5 pasagjerë të një prej makinave u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja, A.V., bashkëshortja e një personi të dyshuar për korrupsion aktiv.
SPAK informon se efektivët e policisë rrugore i kërkuan familjarëve të shoferes një shumë prej 2 mijë eurosh që ajo të mos arrestohej. Shuma u dorëzua nga bashkëshorti i shoferes, me ndihmën e disa personave të tjerë. Pjesë e hetimit është edhe sekuestrimi i 2.5 milionë lekëve dhe 26 mijë euro, të cilat u gjetën gjatë kontrolleve të kryera.
Urdhrat e ndalimit për shtetasit Edison Tabaku, Sokol Novaku dhe Roven Zeka u ekzekutuan nga Byroja e Hetimit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer veprime hetimore në kuadër të procedimin penal nr. 91/1, të vitit 2023.
Në dinamikën e hetimeve, në datën 18 prill, me urdhër të prokurorit të posaçëm, janë ndaluar shtetasit: R.Z, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore, S.N, shef i hetimit të aksidenteve rrugore në këtë komisariat dhe E.T, oficer i policisë gjyqësore, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim (parashikuar nga neni 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.)
Ngjarja
Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.
Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.