Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për një tjetër person, i cili dyshohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e Egli Progës, i cili u dhunua për vdekje më 10 gusht 2024. Deri tani, Denis Meçe ka qenë i dyshuari kryesor për krimin, por hetimet kanë zbuluar prova të reja që përfshijnë edhe një tjetër person.
Sipas organit hetues, Egli Proga është goditur dhunshëm jo vetëm nga Denis Meçe, por edhe nga një shtetas me inicialet L.G., i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal gjatë momentit të krimit.
Njoftimi i prokurorisë:
Vrasja e shtetasit E.P. në Pogradec, Prokuroria Korçë merr në hetim një tjerër person për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga neni 300 dhe 305/b i Kodit Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024 ku shtetasi E.P. humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1466, të datës 12.08.2024, regjistruar për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ ndaj shtetasit në hetim D.M., të dhëna të reja kanë dalë në dritë pas rrëfimit të të pandehurit dhe ballafaqimit të të akuzuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga hetimet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, arriti të zbulojë se viktima, shtetasi E.P., është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi D.M., por edhe nga shtetasi L.G. i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Për rrjedhojë, ky shtetas, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, tashmë është nën hetim për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Në analizë të akteve të administruara në këtë procedim penal, rezultoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Sh., u bë në përputhje me kriteret ligjore, pasi duke qenë në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku ka mbetur i vdekur viktima shtetasi E. P., ai me dashje dhe me qëllim ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarje, e më konkretisht shtetasit L. G. me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore. Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin e ndodhur, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar në mënyrë kategorike se ndaj viktimës ishin kryer veprime të dhunshme në brendësi të lokalit “Stropcka”.