Dy atentate mafioze brenda pak minutash kanë tronditur mbrëmjen e së enjtes (17 Prill), në qytetin e Lezhës dhe kryeqytetin, duke rikthyer frikën dhe trazimin e rendit publik në vend. Në ngjarjen e ndodhur në Pllanë të Lezhës, u vra me armë zjarri Gjovalin Prendi, ndërsa në Tiranë mbetën të plagosur katër persona, përfshirë dy të mitur, 11 dhe 17 vjeç.
Vrasja në Lezhë, një tjetër hakmarrje në sagën e ngjarjeve kriminale të përfshira Roan Brahimi?
Gjovalin Prendi u qëllua për vdekje me breshëri plumbash në ambientet e biznesit të tij, ku ishin të pranishëm edhe familjarë. Viktima është babai i Roan Brahimit, i njohur edhe si Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua në një atentat në Athinë një vit më parë. Policia nuk përjashton mundësinë që kjo vrasje të jetë pjesë e një zinxhiri hakmarrjeje.
Atentati në Tiranë, autorët ngatërruan ‘shënjestër’?
Rreth 45 minuta pas vrasjes në Lezhë, një tjetër atentat ndodhi në zonën e Lundrës në Tiranë, ku një automjet “G Class” u qëllua me breshëri plumbash në lëvizje.
Nga të shtënat mbetën të plagosur:
- Arenc Stafa, 34 vjeç, drejtuesi i mjetit, shofer i familjes së biznesmenit Demiraj
- Kian Mullahi, 19 vjeç,
- Dy fëmijë të mitur 11 dhe 17 vjeç, fëmijë të Vesel Demirajt, pronar i kompanisë së sigurisë private “Pelikani Security”.
Nga të dhënat e para të hetimit, dyshohet se atentati mund të ketë pasur si shënjestër bashkëshorten e Roan Brahimit, e cila banon në të njëjtën zonë dhe ka përdorur një automjet të ngjashëm me atë që u sulmua, me vetëm një ndryshim në targë.
E kaluara e errët e Roan Brahimit
Sipas TCH, Roan Brahimi, i vrarë në maj të vitit të kaluar në Athinë, kishte dy bashkëshorte, një në Shqipëri dhe një në Greqi. Në momentin e atentatit në Athinë, ai ishte në makinë me bashkëshorten dhe djalin e tyre të mitur, të cilët fatmirësisht shpëtuan pa lëndime.
Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu shmangur drejtësisë dhe konflikteve të armatosura. Ai ishte shpallur në kërkim që në vitin 2021 për përfshirje në një ngjarje të rëndë në Zejmen të Lezhës, ku dyshohet se hyri i armatosur në një lokal së bashku me persona të tjerë për të terrorizuar klientët.
Emri i tij lidhet gjithashtu me disa atentate të tjera, përfshirë edhe dyshimet për përfshirje në vrasjen e Brilant Martinit dhe ngjarjen ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Konfliktet e tij të hershme dhe përplasjet me figura të njohura të botës së krimit, si Ervis Martini, janë pjesë e hetimeve të vazhdueshme të policisë shqiptare dhe asaj greke.
Hetimet në fokus të një zinxhiri atentatesh
Policia dhe Prokuroria janë duke hetuar mundësinë që të dyja atentatet e mbrëmjes së të enjtes të jenë të lidhura me hakmarrjen ndaj Roan Brahimit, ku pas eleminimit të tij rreth një vit më parë, dhe ekzekutimit të babait, kanë shënjestruar edhe bashkëshorten e tij. Grupi hetimor po verifikon nëse atentati në Tiranë ishte gabimisht i drejtuar ndaj djemve të biznesmenit Demiraj, për shkak të ngjashmërisë së mjetit të përdorur nga bashkëshortja e Brahimit.