Një rast i rëndë abuzimi me detyrën dhe shkeljes së procedurave ligjore është zbuluar në Doganën e Kapshticës, ku 6 zyrtarë të doganës janë vënë nën hetim për shpërdorim detyre dhe dyshime për falsifikim dokumentesh.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Korçës, tre doganierë me detyrë në Doganën e Kapshticës janë proceduar penalisht, pasi më datë 15 prill 2025, dyshohet se kanë lejuar kalimin e një kamioni me mallra ushqimore pa ndjekur praktikat ligjore të regjistrimit. Dokumentacioni i paraqitur për këtë ngarkesë rezulton i dyshuar si i falsifikuar.
Të proceduarit janë:
- V. T., 49 vjeç, banues në Korçë;
- E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë;
- A. E., 39 vjeçe, banuese në Korçë.
Ngarkesa është konstatuar nga shërbimet e Antikontrabandës pranë Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, të cilat kanë ngritur menjëherë dyshime për dokumentacionin e paraqitur.
Po ashtu, janë vënë nën hetim edhe tre zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të cilët pavarësisht se janë njoftuar zyrtarisht për ngjarjen më datë 15.04.2025, rreth orës 22:00, nuk kanë informuar organet kompetente deri më datë 16.04.2025, ora 15:00, duke penguar rrjedhën e hetimeve dhe duke shkaktuar pasoja të rënda në procesin hetimor.
Bëhet fjalë për:
- D. D., 38 vjeç, me detyrë Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave;
- G. T., 58 vjeç, specialist për Hetimin Doganor;
- K. K., 26 vjeç, specialist për Hetimin Doganor.
Të gjashtë shtetasit do të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve hetimore.
Njoftimi i policisë:
DVP Korçë
Shpërdoruan detyrën duke falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore, procedohen penalisht 3 doganierë në Doganën e Kapshticës.
Procedohen penalisht Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe dy specialistë për Hetimin Doganor, pasi nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:
• V. T., 49 vjeç, banues në Korçë;
• E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë;
• A. E., 39 vjeçe, banuese në Korçë.
Procedimi penal filloi pasi këta shtetas, me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës, dyshohen se më datë 15.04.2025, nuk kanë kryer praktikat doganore për kalimin e një kamioni që transportonte mallra ushqimore, duke e regjistruar këtë ngarkesë me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:
• D. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave;
• G. T., 58 vjeç, dhe K. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, me detyrë specialistë për Hetimin Doganor në të njëjtën drejtori.
Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, më datë 15.04.2025, rreth orës 22:00, janë njoftuar për rastin e falsifikimit të dokumenteve, të konstatuar në afërsi të PPK Kapshticë nga shërbimet e Antikontrabandës. Pavarësisht marrjes së këtij njoftimi, këta shtetas nuk kanë informuar Prokurorin e gatshëm apo strukturat për hetimin e krimeve pranë DVP Korçë deri në orën 15:00 të datës 16.04.2025 (pas më shumë se 15 orësh), duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.