Një atentat mafioz ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, duke lënë katër persona të plagosur, përfshirë një 11-vjeçar, Dior Demiraj, dhe dy të rinj të tjerë, Marko Demiraj dhe Kian Mullahi. Ata ndodheshin në automjetin tip G-Class, të shoqëruar nga shoferi Arens Stafa, 34 vjeç, kur janë sulmuar me armë zjarri nga një automjet tjetër tip fuoristradë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, kur grupi i të rinjve po udhëtonte nga Pjezë për në Lundër, pas një feste ditëlindjeje për 11-vjeçarin. Pasi kanë hyrë në rrethrrotullimin e Shkozës, një automjet i ka zënë në pritë dhe ka nisur të qëllojë me breshëri plumbash drejt tyre. Të shtënat kanë vazhduar deri te Agropark (Tregu Agro Ushqimor), ku ka qenë pikë kulminante e sulmit.
Shoferi i G-Class, Arens Stafa, ka tentuar të shmangë goditjet dhe ka arritur të çojë automjetin deri në Lundër, ku është përplasur për shkak të dështimit të frenave pas disa plumbave që kishin goditur makinën. Të rinjtë janë ndihmuar nga kalimtarë të rastit që kanë kaluar aty dhe i kanë dërguar menjëherë në spitalin e Traumës.
Në lidhje me gjendjen e të plagosurve, 34-vjeçari Arens Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 17-vjeçari Marko Demiraj është në gjendje stabël. Ndërsa 11-vjeçari Dior Demiraj, fatkeqësisht, është në gjendje më të rënduar dhe po merr trajtim intensiv në spital. Pas ndihmës së parë në spitalin e Traumës, Marko Demiraj dhe Kian Mullahi janë dërguar për trajtim më të specializuar në një spital privat.
Familjarët e të plagosurve, të cilët nuk ishin informuar për ngjarjen, janë lajmëruar nga policia pas më shumë se një ore që nga momenti i sulmit. Hetuesit janë ende duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Në lidhje me autorët, dyshohet se kanë qenë tre persona brenda automjetit fuoristradë që u përdor për sulm, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Hetuesit e kanë ende të paqartë se cilët mund të jenë arsyet e sulmit, megjithatë, një mundësi që po hetohet është ajo e një ngatërrese shënjestrimi, duke pasur parasysh se viktimat nuk kishin pasur konflikte të mëparshme dhe nuk kishin asnjë precedent penal.
Përveç hetimeve mbi autorët, organet e rendit janë duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së ndihmës nga persona të tjerë gjatë realizimit të krimit dhe pas tij, për të pastruar skenën dhe për të larguar automjetin. Në këtë fazë, hetuesit po analizojnë çdo detaj të mundshëm që mund të çojë në zbardhjen e të vërtetës për këtë atentat të rëndë.